Kabineti qeveritar i Kosovës ka miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Shërbime Ajrore ndërmjet Qeverisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti tha se kjo marrëveshje promovon sistem ndërkombëtar të aviacionit dhe duke pasur parasysh se zhvillimet në shërbimet ajrore janë thelbësore për zhvillimin ekonomik e kulturor të të dyja vendeve, është rekomanduar aprovimi i saj.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se miratimi i kësaj nisme konsiston me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të marrëdhënieve miqësore mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite.
“Përmes notave verbale të datave 29.01.2024 dhe 29.02.2024 ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite, qeveritë e dyja vendeve kanë konfirmuar vullnetin e tyre për lidhjen e marrëveshjes për shërbime ajrore”, theksoi Aliu.
Duke kërkuar miratimin e nismës, Aliu tha se zhvillimet në shërbimet ajrore janë thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe kulturor të të dyja vendeve./aa