Shqipëria është një përvojë unike dhe destinacion i preferuar i turistëve nga Holanda. Kërkesat për të vizituar Shqipërinë janë rritur me 50%. Agjencitë janë të gjitha të rezervuar.

 

Kështu raporton revista holandeze “RTL News”, njoftoi sot në rrjetet sociale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, duke theksuar se edhe një prej “Reality show” më të ndjekur në Holandë u regjistrua në vendin tonë.

 

“Reality show më i ndjekur në Holandë ‘Wie is de Mol?’ regjistrimet e të cilit u zhvilluan në destinacionet më të bukura të vendit tone, ngjalli mjaft kuriozitet në sytë e publikut holandez, duke e kthyer Shqipërinë në një prej destinacioneve më të preferuara për t’u vizituar”, njofton Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

 

“Sipas RTL News, këtë vit kërkesat për të vizituar Shqipërinë janë rritur me 50% dhe të gjitha agjencitë janë të rezervuara. Sot, gjithnjë e më shumë turistët po kërkojnë diçka ndryshe nga destinacionet e zakonshme dhe duan një përvojë  autentike”, njofton Ministria e Jashtme, duke i’u referuar shkrimit të revistës holandeze.

 

“Kultura, tradita, bujaria, mikpritja, uji  i kristaltë, ajri i pastër, Alpet  e larta, kaltërsia  e Adriatikut dhe Jonit, trashëgimitë kulturore të mbrojtura nga UNESCO si dhe kulinaria e pasur e kanë kthyer Shqipërinë në një prej destinacioneve më unike për t’u vizituar, një përvojë autentike jo vetëm për turistët hollandez, por për turistët nga e gjithë bota”, përfundon njoftimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.