Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, po investon në argjinatura dhe infrastrukturën ujitëse dhe kulluese, për mbrojtjen e tokave bujqësore nga përmbytjet dhe gërryerjet e lumenjve.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denja ndau në rrjete sociale pamje nga investimi i realizuar në njësinë administrative Mollas-Cërrik, zona e dëmtuar nga gërryerjet e lumit Devoll, teksa bëri të ditur se, “po punojmë çdo ditë për të garantuar siguri për tokat bujqësore dhe mundin e fermerëve tanë”.

Sipas saj, në njësinë administrative Mollas-Cërrik, zona e dëmtuar nga gërryerjet e lumit Devoll e njohur për problematikën, po merr zgjidhje përfundimtare duke garantuar mbrojtje të plantacioneve të fermerëve me kivi, paulonja dhe prodhime të tjera bujqësore.

“Me një investim prej 14,500,000 lekë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po garanton mbrojtjen e 280 ha tokë bujqësore si dhe po rivitalizon tokat e dëmtuara në këtë njësi administrative”, tha Denaj./ata