Qeveria palestineze në Gaza ka njoftuar se Spitali i Dëshmorëve të Aksasë në qytetin Deir al-Balah, spitali i fundit që shërben në Rripin e Gazës, do të jetë jashtë funksionit brenda 48 orëve për shkak të mungesës së karburantit.
"Administrata e Spitalit të Dëshmorëve të Aksasë njoftuan se karburanti do të mbarojë brenda 48 orëve, prandaj do të ndërpriten shërbimet shëndetësore dhe mjekësore", thuhet në njoftimin e qeverisë.
Më tutje bëhet e ditur se në sulmet e ushtrisë izraelite janë lënë jashtë funksionit 33 spitale.
"Furnizimi me karburant për Spitalin e Dëshmorëve të Aksasë, spitali i fundit që shërben në Rripin e Gazës, u ndalua pasi Izraeli okupues shkatërroi sistemin e kujdesit shëndetësor", theksohet në njoftim.
Në njoftim gjithashtu theksohet se nëse spitali do të mbetet jashtë funksionit, në rrezik serioz do të jetë jeta e pacientëve dhe të lënduarve, veçanërisht pacientëve në terapi intensive dhe foshnjave në inkubatorë.
Duke theksuar se nga fatkeqësia shëndetësore që mund të ndodhë përgjegjës do të jenë Izraeli dhe SHBA-të, qeveria palestineze u bëri thirrje institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që të furnizojnë spitalin me karburant "sa më shpejt dhe para se të jetë vonë".
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kishte paralajmëruar se sistemi shëndetësor do të "shkatërrohet plotësisht" nëse nuk do të ketë fluks karburanti në Rripin e Gazës së rrethuar, që ka qenë nën sulme intensive nga Izraeli dhe ku kufijtë përmes të cilëve hynin ndihmat humanitare janë të mbyllur.
Izraeli ka vrarë të paktën 34.900 palestinezë dhe ka plagosur 78.500 të tjerë në ofensivën brutale ndaj Rripit të Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023.
Mbi shtatë muaj të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se "besohet" se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa