Kompania bio-farmaceutike anglo-suedeze “AstraZeneca” njoftoi tre ditë më parë se ka filluar tërheqjen e vaksinës së saj kundër Covid-19 në mbarë botën.

“AstraZeneca” e justifikoi tërheqjen me mungesën e kërkesës dhe tepricën e vaksinave të disponueshme aktualisht në treg.

Lidhur me këtë njoftim, mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti tha në një intervistë televizive  se arsyeja e vërtetë e tërheqjes nga tregu është ekonomike.

“Ato janë edhe kompani ekonomike duan të gjenerojnë para. E vërtetë është që ka pasur një sulm publik dhe ja ulën profilin që në fillim, ndoshta sepse ka edhe një luftë tregtare në këtë mes. Ne na intereson që të kemi konkurrencë në mënyrë që të kemi më të mirën e mundshme dhe me çmimin më të mirë, por e rëndësishme që të japim këshillat dhe rekomandimet sipas kategorive. Të qetësojmë edhe njerëzit, nëse efekti do kishte për të ndodhur do ndodhte shumë shpejt afër kohës së vaksinës, 2 deri në 4 javë”, theksoi Alimehmeti.

Alimehmeti u shpreh se “në Europë ka pasur një rast në 50 mijë dhe një në 200 mijë mund të ketë humbur jetën nga kjo patologji. Nga ana tjetër ne kemi ato pilulat kontraceptive që përdoren për zëvendësim hormonal në post-menopauzë dhe këtë problematikë e shkakton 1 në 300 gra. Pra e kuptoni që peshimi i shifrave është në favor të 1 me 50 mijë në raport me 1 me 300”.

Ndërsa shefja e departamentit të sëmundjeve infektive, Silva Bino ka deklaruar se “kjo vaksinë është përdor në vendin tonë deri në dhjetor të viti 2021. Janë përdorur me biliona doza dhe është një efekt i rrallë që shfaqet 5 deri në 30 ditë. Pra kush ka bërë AstraZenenca nuk ka pse shqetësohet”.

Bino siguroi se të gjithë personat që kanë kryer vaksinat anticovid në Shqipëri janë monitoruar me kujdes nga specialistët për 45 ditë dhe janë vërejtur vetëm efekt anësore të lehta./ata