Manchester City ka marrë kryesimin e Premier League, pas triumfit 0-4 ndaj Fulham në Londër.

“Qytetarët” e nisën ndeshjen në sulm, duke ushtruar presion konstant në portën e kundërshtarit. Të besuarit e Pep Guardiolës realizuan gol pas 11 minutash lojë. Një aksion me disa pasime të bukura u finalizua në mënyrën më të mirë të mundshme nga Gvardiol, me mbrojtësin kroat që mposhti Lenon.

Me avantazhin në xhep, gjërat u bënë më të lehta për Haaland me shokë, me këta të fundit që shkuan në dhomat e zhveshjes në avantazh. Në minutën e 59-të, një e djathtë tokazi e Foden solli golin e qetësisë për skuadrën nga Manchesteri. Gvardiol u shndërrua sërish në protagonist për Manchester Cityn, teksa në të 71-tën thelloi shifrat, pas një asisti perfekt të Bernardo Silvës.

30 minuta lojë edhe për Armando Brojën, me sulmuesin shqiptar që gjithsesi nuk ia doli dot të lërë gjurmë në këtë ndeshje.  Në fund pati kohë edhe për një gol të Alvarez, me penallti. Me këtë rezultat, kampionët e Anglisë kryesojnë me 85 pikë, 2 pikë më shumë se Arsenali ndjekës, kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i kampionatit./BalkanWeb