Familja e madhe e futbollit shqiptar ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të Bejkush Birçes, për shkak të problemeve shëndetësore.

Birçe, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar, dha kontribut si lojtar dhe trajner i Kombëtares, ndërkohë që ishte edhe zëvendëspresident i FSHF.

Birçe e kaloi karrierën e tij si futbollist te Partizani, ndërkohë që e drejtoi më pas edhe si trajner, sikurse bëri me Naftëtarin, Flamurtarin, Lokomotivën e Durrësit dhe Dinamon.

Gjithashtu, ai mbahet mend si një nga trajnerët më të shquar të Kombëtares, teksa drejtoi kuqezinjtë në vitet ’90, në një periudhë të vështirë për vendin.

Federata Shqiptare e Futbollit i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, së afërmve dhe miqve të Birçes për këtë humbje të madhe

Edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka me një postim në rrjetet sociale ka shprehur trishtimin e tij për këtë humbje dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve të Bejkush Birçes.

“I pikëlluar pas lajmit të ndarjes nga jeta të Bejkush Birçes! Kemi humbur një nga njerëzit me më shumë kontribute në futbollin shqiptar, si lojtar, trajner e drejtues në FSHF. Kemi humbur një njeri me karakter të fortë, një mik dhe një familjar shumë të mirë. Në emrin tim dhe të komunitetit të futbollit shqiptar, dua t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes, së afërmve dhe miqve, të cilët kanë humbur një njeri shumë të dashur për ta. U prehsh në paqe Bejkush Birçe!”, shkruan Duka në statusin e tij.

Homazhet për Bejkush Birçen do të zhvillohen ditën e hënë në ambientet e stadiumit “Air Albania”, duke nisur nga ora 11:00./ata