Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj ishte sot e pranishme në panairin “Merano Festival” që u mbajt tek Pazari i Ri në Tiranë.
Denaj e përshkroi panairin si “shije dhe traditë shqiptare, kënaqësi konsumatore” me pjesëmarrjen e 40 kantinave të verës nga mbarë hapësira shqiptare.
Në ceremoninë e hapjes, Denaj shprehu dëshirën që të shkohet përtej shitjes dhe shijimit të produkteve.
“Të lidhim kontrata, sepse ajo stimulon më shumë mbjelljen e tokës shqiptare me vreshta dhe kultivarët tanë autoktonë, por që e bën produktin tonë të shkojë përtej Shqipërisë, drejt tregjeve ndërkombëtare”, u shpreh Denaj.
“Festivali i Verës Merano”, traditë italiane që daton nga viti 1992 mbahet këtë vit në kryeqytetin shqiptar, tek Pazari i Ri, në fundjavën e 11 dhe 12 majit.
Panairi mbledh së bashku kantinat e Shqipërisë dhe Kosovës duke promovuar prodhuesit shqiptarë të verërave dhe produktin vendas në tregun kombëtar dhe atë global./ata