Një nga investimet më të mëdha në infrastrukturën ujitëse të tokave bujqësore është sot edhe diga mbi lumin Osum që ujit 2200 hektarë tokë bujqësore në tre bashki të vendit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot në rrjete sociale pamje nga ky investim që i vjen në ndihmë fermerëve dhe sektorit, veçanërisht tani gjatë sezonit veror.

“Vepra ujitëse “Diga mbi lumin Osum” me një gjatësi funksionale prej 12 km dhe një kapacitet prurjeje prej 1800 lit/sek, ujit 2200 hektarë tokë bujqësore në bashkitë Berat, Dimal dhe Kuçovë”, tha Denaj.

Ministrja bëri të ditur se, kjo vepër ujitëse siguron furnizimin me ujë për të mbjellat dhe rrit cilësinë e tyre, duke shpërblyer përkushtimin dhe mundin e përditshëm të fermerëve.

Rajoni Berat, Dimal dhe Kuçovë është një nga zonat me potencial të lartë në prodhimin e kulturave bujqësore. Investimet në infrastrukturën ujitëse dhe vaditëse janë të një rëndësie parësore në zhvillimin e bujqësisë./ata