Fëmijët në Shkodër kanë zbukuruar duke mbjellë lule sheshin pranë Teatrit “Migjeni”, ku do të zhvillohet edicioni i 62-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për fëmijë, festival i lidhur ngushtësisht me traditën e qytetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga puna e fëmijëve për të mbjellë lule në sheshin pranë teatrit Migjeni në Shkodër.

“Ja dhe sheshi i Teatrit Migjeni në Shkodër, që po zbukurohet dita-ditës me lulet e mbjella nga fëmijët, të cilët po përgatiten për Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë më datat 30-31 maj dhe 1 qershor”, shkruan Rama.

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë në Shkodër konsiderohet pjesë e trashëgimisë shpirtërore të qytetit ndërsa sjell vit pas viti pasion dhe krijimtari./ata