Rreth 50,000 kundërshtarë të një projekt-ligji për “agjentët e huaj” që rrezikon edhe lirinë e medias marshuan në mënyrë paqësore nën një shi të dendur nëpër kryeqytetin gjeorgjian të shtunën, pasi Shtetet e Bashkuara thanë se vendi duhej të zgjidhte midis ligjit “të stilit të Kremlinit” dhe aspiratave euro-atlantike të popullit.

“Ne jemi thellësisht të alarmuar për kthimin e prapa te demokracise në Gjeorgji,” shkroi këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan në rrjetin social X.

 

“Parlamentarët gjeorgjianë përballen me një zgjedhje kritike – nëse do të mbështesin aspiratat euroatlantike të popullit gjeorgjian ose do të miratojnë një ligj të agjentëve të huaj të stilit të Kremlinit që bie ndesh me vlerat demokratike. Ne qëndrojmë me popullin gjeorgjian”, tha ai. Projektligji, i cili do të kërkonte që organizatat që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohen si “agjentë të ndikimit të huaj”, ka shkaktuar një krizë politike në Gjeorgji, ku mijëra njerëz kanë dalë në rrugë për të kërkuar tërheqjen e projektligjit.

 

 

 

Turma të shtunën valëviti flamujt e Gjeorgjisë, të Bashkimit Evropian dhe disa flamuj ukrainas dhe në një shenjë shkëputje me të kaluarën, përfshiu më shumë protestues të moshuar si dhe shumë të rinj që kanë dalë në rrugë gjatë muajit të kaluar. “Qeveria duhet të dëgjojë popullin e lirë të Gjeorgjisë,” tha një protestuese në kryeqytetin e vendit Tbilisi.

“Ne duam të hyjmë në Bashkimin Evropian me kombin tonë krenar dhe dinjitetin tonë”, tha nje protestues. Parlamenti, i cili kontrollohet nga partia qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane dhe aleatët e saj, do të fillojë seancat dëgjimore të komisionit për leximin e tretë dhe të fundit të projektligjit të hënën. Grupet e opozitës kishin bërë thirrje për një valë të re protestash nga e shtuna./BalkanWeb