Vllaznia është shpallur zyrtarisht kampione e edicionit futbollistik 2023-2024 në kampionatin e futbollit të vajzave, që këtë sezon ishte i veçantë për shkak të aplikimit të formulës “Final Four”.

Në finalen e zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit” ndaj Apolonisë, Vllaznia fitoi me rezultatin e thellë 4-0 duke siguruar trofeun e 11-të radhazi të titullit kampion të Shqipërisë në futbollin e vajzave.

Ndeshja finale u zhvillua edhe me sistemin VAR, ndërsa takimi foli vetëm për Vllazninë që brenda 6 minutave në pjesën e parë realizoi tre gola.

Fillimisht në të 21-n me kapitenen Ezmiralda Franja, e më pas Berisha shënoi golin e dytë në të 24-n, ndërsa Ramadani trefishoi rezultatin në të 27-n.

Fitoren spektakolare të Vllaznisë e vendosi kapitenia Ezmiralda Franja në minutën e 51-të që shënoi golin e katërt të sfidës dhe të dytin personal.

Ky ishte edicioni i 11-të radhazi që vajzat kuqeblu fitojnë titullin kampion të Shqipërisë në futbollin e vajzave.

Vllaznia e vajzave do të përfaqësojë Shqipërinë në raundin para-eliminator në UEFA Champions League.

Në ceremoninë e zhvilluar në fund të sfidës finale, Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, i dorëzoi medaljet dhe trofeun ekipit të Vllaznisë./BalkanWeb