Ministri Kundër Emigracionit të Paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar, Michael Tomlinson vizitoi sot kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Tomlinson shoqërohej nga homologu i tij kosovar, Xhelal Sveçla dhe drejtori i departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit të Shqipërisë, Saimir Boshnjaku.

Ata vizituan kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, për të parë se si partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar po ndihmon luftën kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm.

Gjatë vizitës në kufi, ata inspektuan kamerat e reja, të cilat shërbejnë për njohjen e targave, të financuara nga Mbretëria e Bashkuar, në vlerën e 1.6 milionë paund, me qëllim gjurmimin e kriminelëve që lëvizin mes vendeve.

Ministri Tomlinson mori pjesë gjithashtu në demonstrimin e dronëve të rinj, financuar nga Mbretëria e Bashkuar, në ndihmë të Policisë Shqiptare dhe asaj të Kosovës, për të mbështetur luftën kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht emigracionit të paligjshëm./ata