Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, tha se ka ardhur koha për shpërbërjen e Grupit të Minskut të Organizatës për Sigurisë dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që u krijua për zgjidhjen e konfliktit mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Aliyev priti në një takim kryesuesin e OSBE-së dhe ministrin e Jashtëm të Maltës, Ian Borg, i cili ka vizituar Azerbajxhanin për të kryer takime.

Sipas një deklarate nga Presidenca e Azerbajxhanit, Aliyev në fjalimin e tij të mbajtur në takim lidhur me negociatat e paqes të zhvilluara me Armeninë shpjegoi se parimet bazë të paqes u propozuan nga Azerbajxhani dhe se edhe teksti i marrëveshjes së paqes u përgatit dhe u paraqit për negociata gjithashtu nga Azerbajxhani.

Ai ka shtuar se Grupi i Minskut i OSBE-së, që u krijua me qëllimin për të zgjidhur konfliktin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, nuk ka bërë asgjë për zgjidhjen e problemit.

"Procesi i negociatave i kryer nga bashkëkryesuesit e Grupit të Minskut të OSBE-së për vite me radhë i shërbeu vazhdimit të pushtimit të tokave të Azerbajxhanit. Azerbajxhani i dha fund okupimit dhe siguroi integritetin dhe sovranitetit territorial të tij. Tashmë konflikti Armeni-Azerbajxhan ka mbetur në të kaluarën. Për këtë arsye ka ardhur koha për shpërbërjen e Grupit të Minskut të OSBE-së dhe të gjithë institucioneve të lidhura me të. Azerbajxhani e ka sjellë këtë çështje në rendin e ditës. Nuk ka asnjë arsye që edhe Armenia të mos e pranojë këtë", ka deklaruıar Aliyev.

Grupi i Minskut i OSBE-së u krijua në 1992 me qëllimin për të inkurajuar zgjidhjen me rrugë paqësore të konfliktit Armeni-Azerbajxhan dhe problemit të Karabakut, si dhe për të ndërmjetësuar ndërmjet palëve.

Grupi i Minskut i OSBE-së, i bashkëkryesuar nga Rusia, Franca dhe SHBA-ja, nuk kishte mundur të arrinte rezultate konkrete për zgjidhjen e problemit, pavarësisht se ndërmori shumë iniciativa./aa