Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u paraqit sot në Prokurorinë e Tiranës, ku u pyet në lidhje me hetimin mbi ndërhyrjen në të dhënat e serverit të Partisë së Lirisë.
Kreu i PL, Ilir Meta denoncoi një vjedhje, që sipas tij ka ndodhur brenda selisë, ku është ndërhyrë te pajisja DVR-së ku regjistrohen pamjet e kamerave të sigurisë. Sipas denoncimit në fjalë, ndërhyrja në serverë është bërë rreth orës 23:40, të datës 6 mars.
Meta në dalje të Prokurorisë së Tiranës, u ndal në një komunikim me mediet, ku theksoi se prania e tij në organin e akuzës kishte qëllim përkrahjen e Prokurorisë dhe Gjykatës, të cilat duhet të veprojnë pa u penguar.
“Kam qenë këtu në respekt të ligjeve dhe institucioneve dhe përkrahjes që ta bëjnë këtë punë pa u penguar dhe që jam i bindur që nuk mund të ndodhi, pasi jemi në një vend ku gjithçka është kapur nga një kryebandit si Edi Rama. Jam shokuar nga gjendja në Prokurorinë e Tiranës. Kishte një mal me dosje, pasi nuk kanë ku t’i arkivojnë dosjet. Ashensori nuk punonte dhe zbrita nga shkallët. Deputetët e Komisionit të Ligjeve duhet të vijnë këtu të shohin gjendjen në Gjykatë”, tha Meta.
I pyetur për shkaqet e kësaj situate, Meta tha se “është Ramaforma, që kujdeset për kushtet e 3-4 prokurorëve të SPAK, që i ka kapur në xhep Ëngjëll Agaçi dhe s’do t’ia dijë fare për gjyqtarët dhe gjykatat e tjera”.
Kreu i Partisë së Lirisë tha se “i gjithë procesi mafioz që po ndodh është për të kapur edhe vulën e Partisë së Lirisë, dhe kjo është rezultat i treshes Rama-Agaçi-Dumani”.
Më tej, Meta kujtoi dhe 5 prioritet e Partisë së Lirisë për qëllimin madhor: 4 milionë shqiptarë. “Ai (Rama) le të vazhdojë me filipinasit e bangladeshasit. Po kërkojnë të shkëmbejnë shqiptarët me lloj-lloj kombesh. Jemi vend i vogël për të mbledh proletarët e Edi Ramës”, tha Meta./ata