Partia e Lirisë zhvilloi sot mbledhjen e Komitetit Drejtues të saj, për të shqyrtuar planin e detajuar me 5 pika dhe draft statutin e ri, i cili pritet të votohet më 27 prill nga Konventa e Partisë së Lirisë.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha në nisje të fjalës së tij, se Partia nuk është biznes familjar, por theksoi se përpara statutit do të jenë të gjithë të barabartë.
“Nuk duhen bërë partitë instrumente biznesi për familje të caktuara përfshirë këtu familjen e Ilir Metës dhe familje të tjera dhe sidomos organizatën e Rinisë që është atrofizuar nga nepotizmi”, tha Meta.
“Ka 100 anëtarë LRI-ja në Komitetin Drejtues dhe thirri sot nëse i gjen 40 veta. Ka më shumë këshilltarë të zgjedhur në këshillat bashkiake, në bazë edhe të marrëveshjes me Partinë Demokratike të të madhërishmit, Sali Berisha. Ka më shumë këshilltarë se sa anëtarë dhe kjo është pasojë e nepotizmit, mbylljes”, tha Meta.
“Mona është zemra jonë. Mona është deputete, dhe mund të jetë prapë se ne i kemi listat e hapura. Në fakt nuk është Mona problemi kryesor në parti, problemi është i atyre që përdornin lidhjen e Monës me Metën për të mos marrë përgjegjësi. Askush mos të qajë hallin e Monës, Mona është deputete e Fierit dhe do ta tundi për Fierin”, tha Meta.
“Mona sipas statutit mund të votohet për tek kryesia dhe unë do të vazhdoj të shërbej në Partinë e Lirisë në komisionin e bujqësisë tek z. Panariti, apo në komisionin që drejton Genci. Kjo historia e Monës nuk është e Monës, kjo është një histori tjetër, është e atyre që kërkojnë që në këtë parti të ketë kaos dhe kakofoni, të mos ketë llogaridhënia, mos të ketë organizim, mos ketë axhende, mos ketë afate, të mos ketë lista të qartë të votuesve. Sepse mesa duket u pëlqen të rrinë në opozitë. Këtu nuk është problemi të rrimë në opozitë, por për të shpëtuar Shqipërinë nga një bandë që ka zënë për fyti dhe kërkon të përzërë këta të rinjtë që kanë mbetur”, tha Meta
“Ne duhet të lëvizim, të japim shpresë. Partia do ketë demokraci maksimale, të flasë kushdo dhe të dëgjohet këtu. Në 27 prill ekzekutojmë nepotizmin, jo njerëzit, askënd. Askush s’ka të drejtë të bëjë viktimën. Ne ekzekutojmë fenomenin. Ne këtu kemi shumë raste të nepotizmit në Lezhë zoti Viktor që të thashë 10 herë”, tha Meta.
“Para statutit janë të barabartë të gjithë, edhe Ilir Meta. Nuk mund të ketë dy njerëz në një kryesi nga një familje. Kjo nuk do të thotë se u dashka të ikë Monika, mund të ikë Ilir Meta. Kjo zgjidhet me votim”, tha Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Meta pati dhe një mesazh drejtuar SPAK.
“Për SPAK tarallakun se mos i ka ngelur hatri njeriu kam këtë mesazh. Ilir Meta është këtu e do jetë gjithmonë këtu. Edhe në 92′ kur më thërrisnin çdo javë për të ikur, që mos arrestohesha përgjigja ishte ja ku jam, bëjeni detyrën dhe madhëria ju falënderon”, tha Meta.
“SPAK-u torollaku te hetojë këtë të dojë, Metën dhe cilin të dojë. SPAK-u torollaku duhet të kuptojë që nuk mund të përdore njerëz të dobët, në Partinë e Lirisë, të cilëve mund t’u ketë sekuestruar celularë, letra a ku di unë dhe ti përdorë ata kundër Partisë së Lirisë dhe kundër Ilir Metës”, vijoi ai.
“Shtëpi e vila të shkojnë t’i sekuestrojnë të gjitha. S’kam asnjë problem, po ta shoh situatën keq, do të vendos një krevat të shtëpia e nënë Selvisë, ose te selia e Partisë së Lirisë. Por Partinë e Lirisë, që do sjellë lirinë e Shqipërisë ta harrojë SPAK-u torollaku që mund ta sjellë vërdallë. Sepse i ndodh ajo gjë që bëhet shembull në gjithë botën. Ishte një prokurore në Maqedoninë e Veriut, që luftonte korrupsionin, ku shkoi zonja? Italia kishte Di Pietron, ku përfundoi? Një ministër. E dini ça ishte Di Pietro, hajdutë tenderash”, tha Meta./ata