Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz tha se askush nuk duhet të ketë pritshmëri të lartë nga Samiti i Paqes për Ukrainën i cili do të mbahet në Zvicër në qershor.

Në një deklaratë për revistën "Stern", Scholz tha se në samitin që do të mbahet në Zvicër do të diskutohen çështjet lidhur me sigurinë e centraleve bërthamore, eksporti i drithërave, shkëmbimi i pengjeve dhe përdorimi i armëve bërthamore që duhet të jenë tabu.

"Askush nuk duhet të ketë pritshmëri të lartë. Atje nuk do të negociojmë për përfundimin e luftës", tha Scholz i cili shtoi se "në rastin më të mirë, mund të bëhet fjalë për fillimin e një procesi i cili mund të çojë në bisedime të drejtpërdrejta mes Ukrainës dhe Rusisë".

Scholz e konsideron si të pamjaftueshme mbështetjen e vendeve evropiane për Ukrainën. "Në mënyrë të qartë nuk është e mjaftueshme. Kjo është për të ardhur shumë keq, sepse Ukraina ka nevojë në mënyrë urgjente për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore. (Presidenti rus Vladimir) Putin në mënyrë të qartë kërkon të eliminojë infrastrukturën e Ukrainës", tha kancelari gjerman.

Ai theksoi se është pro zgjedhjes së një presidenteje femër në Gjemani. "Do të isha i lumtur nëse në vitin 2027 zgjedhim një grua në Pallatin Bellevue (Presidenca)", tha Scholz.

Samiti i Paqes për Ukrainën do të mbahet në qytezën Bürgenstock në kantonin Nidwalden të Zvicrës më 15-16 qershor./aa