Policia e Durrësit njofton se ka ngritur pesë akuza penale ndaj 40-vjeçarit A.M., i cili në orët e para të ditës së sotme ka marrë peng dy fëmijët e tij të mitur në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Policia e Durrësit njofton se pasi ka neutralizuar dhe liruar fëmijët, ka shoqëruar në komisariat 40-vjeçarin. Pas shoqërimit, ai është arrestuar për pesë akuza penale: “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

“Në vijim, lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje, ju informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, kanë referuar në Prokurori kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e shtetasit A.M., shtetasen B.M., 32 vjeçe. Në asnjërën nga seancat, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në Gjykatë. Gjithashtu, për sa i përket gjendjes penale të shtetasit A.M., ju informojmë se pas verifikimeve ka rezultuar se në Itali ka thyer masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’, të caktuar për veprën penale ‘Vjedhja’”, bën të ditur Policia e Durrësit.

“Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, grupi hetimor vijon hetimet dhe veprimet procedurale, për të përcaktuar nëse 40-vjeçari ka qenë nën efektin e lëndëve psikotrope gjatë ngjarjes, si dhe për të dokumentuar me prova të ligjshme rrethanat e tjera të këtij rasti”, përfundon njoftimi.

Sot rreth orës 02:30, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, shtetasi A.M., 40 vjeç, banues në Lezhë, u neutralizua nga shërbimet RENEA, në bashkëpunim me ato të Policisë së Durrësit, pasi mbajti peng dy fëmijët e tij të mitur (6 dhe 11 vjeç) në një apartament të marrë me qira dhe qëlloi nga dritarja me armë zjarri kallashnikov./ata