Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) gjatë vitit 2023 janë kallëzuar 16 raste pranë organeve ligjzbatuese dhe janë aplikuar 113 masa administrative me gjobë.
Inspektorja e Përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), Evgjeni Bashari raportoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore raportin e punës së institucionit që ajo drejton për vitin 2023. Sipas Basharit, në vitin 2023 ILDKPKI ka bashkëpunuar me SPAK, por edhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, në kuadër të vetingut në Policinë e Shtetit.
“Gjatë periudhës raportuese janë trajtuar 52 kërkesa për dhënien e informacionit dhe dokumentacionit brenda afateve të përcaktuara nga organet e rivlerësimit. Një kërkesë nga ONM dhe janë verifikuar në një kohë shumë të shkurtër 187 kandidatë, kryesisht kandidatë për gjyqtarë në GJKKO të Apelit, gjykatat e apelit, drejtues të SPAK, apo drejtues të prokurorive të përgjithshme, si dhe magjistratë të shkollës së magjistraturës,” tha Bashari.
“Aktet e kontrollit të plotë janë dërguar për vendimmarrje të mëtejshme pranë KLGJ, KLP, si dhe organeve të tjera të emërtesës. Gjithashtu, gjatë periudhës raportuese, me rishikimin e kuadrit ligjor për vetingun e Policisë së Shtetit dhe Gardës, i cili ndryshoi tërësisht procedurat mbi të cilat do të vijonte procesi për këta subjekte, ILDKPKI-së iu shtua dhe organi ndihmës për verifikimin e pasurisë,” tha ajo.
“ILDKPKI dhe AMP nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që synon angazhimin e përbashkët për koordinimin e proceseve të hetimit administrativ, me qëllim rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit ndërinstitucional. Është kryer kontrolli i plotë për 35 subjekte të shortuara nga AMP, duke dërguar pranë këtij institucioni raportet e kontrollit të plotë, së bashku me dokumentacionin e administruar gjatë këtij procesi,” tha Bashari.
Ajo theksoi se është punuar për forcimin e mbrojtjes së sistemit elektronik të raportimit, kjo edhe në kuadër të sulmeve kibernetike.
“ILDKPKI, duke synuar forcimin e regjimit të deklarimit të interesave private dhe parandalimin e konfliktit të interesave, duke nisur nga 2021 është angazhuar për të garantuar qëndrueshmërinë e sistemit elektronik të interesave private. Janë zhvilluar aktivitete trajnuese, ku janë trajnuar 329 përfaqësues të autoriteteve përgjegjëse,” tha Bashari.
Ajo shtoi se “të gjithë subjektet deklaruese edhe gjatë vitit 2023 vijuan deklarimin në mënyrë elektronike të interesave të tyre private. Numri i deklaratave të interesave private, të administruara nga ILDKPKI, është 4070 për të cilat ka nisur procedura e verifikimit dhe administrimit në mënyrë shkresore, si dhe përpunimit paraprak të të dhënave të paraqitura në këto deklarata. Në zbatim të skemës së kontrollit, iu nënshtruan kontrollit të plotë 636 subjekte, si për shkak funksioni, ashtu edhe për shkak të informacioneve të ardhura nga burime të ligjshme,” tha Bashari.
“ILDKPKI ka pasur në fokus drejtues të enteve publike, zëvendësministra, nëpunës të nivelit të lartë, gjyqtarë dhe prokurorë. Janë referuar 16 raste pranë organeve ligjzbatuese dhe janë aplikuar 113 masa administrative me gjobë.
Lidhur me sinjalizuesit, Bashari tha se “nga të dhënat rezulton se janë ngritur dhe funksionojnë 191 njësi pranë sektorit publik dhe 590 në sektorin privat. Në zbatim të parashikimeve të kuadrit ligjor brenda 15 janarit 2024 janë pritur e administruar raportet vjetore nga njësitë përgjegjëse si në sektorin publik, ashtu edhe nga organizatat private. ILDKPKI ka marrë dhe administruar 173 raporte vjetore nga njësitë përgjegjëse pranë autoriteteve publike. 134 prej tyre kanë paraqitur raportet brenda afateve ligjore. Nga analizimi i tyre, vetëm 4 njësi pranë institucioneve publike kanë pasur raste sinjalizimi. Njësitë përgjegjëse pranë sektorit privat kanë paraqitur 283 raporte sinjalizimi, 233 njësi i kanë paraqitur këto raporte brenda afateve. Nga analizimi i të dhënave të sektorit privat, vetëm 2 njësi kanë pasur dhe janë hetuar raste sinjalizimi”.
Bashari më tej tha se “gjatë vitit 2023 ka pasur dhe një kërkesë për mbrojtje nga hakmarrja. Objekt sinjalizimi kryesisht kanë qenë shkelje në procedurat e fondeve publike, shkelje e procedurave të rekrutimit, apo konflikti i interesit.”
“Gjithashtu, në vijim të mbështetjes së strukturave të SPAK mbi hetimet e nisura për zyrtarë, të cilët janë subjekte të deklarimit të interesave private, ka vendosur në dispozicion, për 23 raste, të gjithë informacionin e nevojshëm të administruar pranë Inspektoratit të Lartë për këta subjekte,” përfundoi raportin e saj Bashari./ata