Në qytetin Ramallah të Bregun Perëndimor të pushtuar, palestinezët zhvilluan një marshim për të përkujtuar "Nakba-n" (Katastrofën e Madhe) kur Izraeli shpalli pavarësinë në territoret e pushtuara palestineze më 14 maj 1948 dhe në të cilën i vendosi palestinezët përballë migrimit të detyruar.

Mijëra palestinezë, shumica e të cilëve të veshur me rroba të zeza, u mblodhën në varrin e liderit historik të vendit të tyre, Jaser Arafat në Ramallah, si reagim ndaj sulmit të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës i cili ka shkaktuar një fatkeqësi humanitare.

Në marshimin ku morën pjesë mijëra persona të cilët mbanin flamurin e Palestinës, disa prej palestinezëve mbajtën në duar thasë të lyer me ngjyrën e gjakut, foshnje të mbështjellë me qefin si dhe flamuj të zinj, për të përkujtuar bashkëqytetarët e tyre të cilët janë vrarë gjatë përpjekjeve të tyre për të arritur në ndihmën humanitare në Rripin e Gazës.

Palestinezët marshuan nga varri i Arafatit e deri në sheshin "Manara" në qytet. Në shesh, në orën 13:00 me kohën lokale, sirenat ranë për 76 sekonda për të shënuar 76-vjetorin e "Nakba"-s dhe palestinezët ngritën duart në shenjë fitoreje dhe mbajtën një minutë heshtje.

Duke folur në protestë, nënkryetari i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) Mahmoud al-Aloul tha se pushtimi izraelit është përpjekur ta gjunjëzojë popullin palestinez për 76 vjet, por palestinezët mbeten të përkushtuar ndaj tokës dhe të drejtave të tyre.

Duke thënë se Izraeli sot në Rripin e Gazës "ka ndërmarrë një gjenocid më të pamëshirshëm" se Nakba, Al-Aloul shtoi se Izraeli, me mbështetjen politike dhe ushtarake të SHBA-së, "është përpjekur ta zgjidhë çështjen e Palestinës me forcë, por nuk ka marrë mësim nga historia".

Ragad Abbasi (19), e cila ka studiuar Drejtësi në Universitetin Birzeit dhe ka marrë pjesë në demonstratë në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se Nakba vazhdon ende për palestinezët dhe se të njëjtat praktika të vitin 1948 po përjetohen edhe sot në Gaza.

Duke thënë se paraardhësit e tyre u internuan në vitin 1948 nga fshati Abbasiye në Jaffa i cili sot ka mbetur brenda Izraelit dhe se këto ngjarje ia ka treguar gjyshja, Abbasi shtoi se "Është e pamundur që ky brez të harrojë atë që ndodhi në 1948, Palestinën dhe Nakba-n".

"Edhe solidariteti më i vogël për Palestinën, pavarësisht se nga kush vjen në të gjithë botën, ai është shumë i vlefshëm për lirinë e Palestinës", tha ajo.

Emced en-Necci (19), i cili studion në Fakultetin e Shtypit dhe Komunikimit në Ramallah tha se Nakba që kanë jetuar paraardhësit e tij vlen edhe për ta sot dhe se nuk është e mundur që ta harrojnë këtë ngjarje, pavarësisht 76 viteve që kanë kaluar.

Duke thënë se pushtimi izraelit "është brutal dhe se nuk do të heqin dorë nga kauzat e tyre pavarësisht se i vret dhe i dëbon palestinezët nga toka e tyre" Necci vuri në dukje se ata presin solidaritet nga të gjithë, përfshirë vendet arabe.

Palestinezët e përkujtojnë 15 majin si "Nakba" (Katastrofa e Madhe) kur Izraeli shpalli pavarësinë në tokat e pushtuara palestineze më 14 maj 1948 dhe i vendosi palestinezët përballë migrimit të detyruar./aa