Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan ka theksuar rolin e "mosmarrëveshjeve mbi burimet ujore" në shkaktimin e konflikteve në mbarë botën.

"Shumë konflikte në Azi, Amerikë, Afrikën veriore dhe Lindjen e Mesme rrjedhin nga mosmarrëveshjet mbi burimet ujore", tha presidenti Erdoğan në një fjalim të mbajtur në një takim mbi bujqësinë, organizuar nga banka shtetërore turke Ziraat Bank.

Presidenti turk iu referua gjithashtu efekteve negative të ndryshimeve klimatike dhe pasojave të tyre për konfliktet e lidhura me burimet ujore.

"Për shkak të efekteve negative të ndryshimeve klimatike, burimet ujore dhe rezervuarët po bëhen zona konflikti", theksoi Erdoğan.

Për marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi, në të cilën Türkiye dhe OKB-ja ndërmjetësuan midis Rusisë dhe Ukrainës në vitin 2022, presidenti Erdoğan tha se "po të mos ishte marrëveshja e drithërave në Detin e Zi, e udhëhequr nga Türkiye, shumë zona do të kishin vuajtur nga uria, veçanërisht vendet afrikane".

Ai po ashtu tha se "Türkiye parandaloi që situata të përkeqësohet duke siguruar kalimin e 33 milionë tonë drithërave nëpër ngushticat tona" në mes të pandemisë së COVID-19 dhe luftës në Ukrainë./aa