Ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani deklaroi se Gaza është pjesë e territoreve të Palestinës dhe se duhet të menaxhohet nga palestinezët.

Al Thani gjatë një konference për media që zhvilloi me homologun e tij amerikan Antony Blinken i cili vizitoi Doha-n në kuadër të turit në Lindjen e Mesme foli për Gazë.

Pasi vuri në dukje se vazhdon procesi i negociatave dhe se kanë përjetuar disa vështirësi, Al Thani tha: "Vrasja e një prej zyrtarëve të nivelit të lartë të Hamasit (zëvendëskryetari i Byrosë Politike të Hamasit, Saleh Al-Arouri), mund të ndikojë në këtë proces të komplikuar".

Më tej ai shtoi se pavarësisht vështirësive kanë vazhduar bisedimet me palët dhe se po përpiqen për arritjen e një marrëveshjeje e cila do të sigurojë armëpushimin sa më parë në Gaza, rritjen e hyrjes së ndihmave dhe lirimin e pengjeve.

"Gaza është pjesë e territoreve të Palestinës, duhet të jetë nën administrimin e Palestinës dhe këtu ka të drejtën për të vendosur vetëm populli i Palestinës", deklaroi Al Thani.

Blinken vizitoi Katarin pas Türkiye-s dhe Jordanisë dhe si pjesë e turneut të tij në Lindjen e Mesme përfshin edhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Arabinë Saudite, Izraelin, Egjiptin dhe Bregun Perëndimor.

Në kuadër të vizitës së tij, Blinken u takua edhe me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani./aa