18 maji në qytetin e Durrësit do të festohet në mënyrë të veçantë. Në orën 18:00, tek sheshi “Liria”, ekspozita “Muzetë për qytetin” do të shpalosë për qytetarët dhe turistët e Durrësit vlerat muzeale të qytetit, pjesërisht fizikisht dhe pjesërisht virtualisht.
Edhe pse të mbyllura dhe në proces rinovimi, muzetë e Durrësit, Muzeu Arkeologjik dhe Muzeu Etnografik kanë gjetur mënyrën e dialogut me publikun e qytetit.
MuzehLab do të sjellë lojëra dhe imazhe nga aktiviteti edukues mbi trashëgiminë. Ekspozita vjen si bashkëpunim i Qendrës Muzeore Durrës me Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” dhe me pjesëmarrjen e MuzehLab.
Koleksionet origjinale etnografike të muzeut të qytetit, koleksioni i armëve dhe stendat që i përkasin figurës së Aleksandër Moisiut, do të jenë në dispozicion të publikut, krahas fotove dhe videove të artefakteve të Muzeut Arkeologjik. Fëmijët do të vizatojnë dhe do të luajnë me tapetet fluturues, duke demonstruar aspektin edukues dhe argëtues të muzeve.
Dita Ndërkombëtare e Muzeve do të pasohet nga Nata e Muzeve, e cila hapet në orën 19:00 tek Torra Veneciane me një mbrëmje poetike të titulluar “Ylli i zemrës”, ku do të interpretojë aktorja durrsake Sanije Hoti pjesë në poezi e prozë nga autorët: Mimoza Ahmeti, Aleksandër Çipa, Liridon Mulaj dhe Bashkim Hoxha, si dhe do të ketë performanca muzikore.
Ekspozita dhe Torra Veneciane do të jenë të hapura deri në orën 22:00./ata