Më 26 mars të vitit 1451, Gjergj Kastriot Skënderbeu lidhi një aleancë me mbretin e Napolit, Alfonson V të Aragonit (1396-1458).
Përmes këtij akti zunë fill edhe marrëdhëniet hispano-shqiptare, deri atëkohë inekzistente. Me nisjen e mbretërimit të tij në vitin 1442, nën gjurmët e paraardhësve të tij normanë, Alfonso nisi aplikimin e një politike ballkanike ambicioze.
Në sajë të traktatit që nënshkroi me Skënderbeun, i njihej e drejta historike që mbretërit e Napolit kishin pasur mbi Shqipërinë, i dorëzonte Krujën dhe të gjitha zotërimet e tjera, si edhe zotohej për pagimin e haraçeve.
Deri në shuarjen e Skënderbeut në vitin 1468, Alfonsi i parë dhe më pas i biri, Ferrante I (1458-1494) vijuan të kontribuonin në luftën kundër osmanëve. Në këmbim, Skënderbeu së bashku me 4000 vetë, u nis drejt Napolit, për të ndihmuar Ferranten gjatë një revolucioni pro-anzhuin të fisnikërisë që pat shpërthyer në mbretëri në vitin 1462.
Kjo marrëdhënie e llojit ushtarak, qëndron në themel të kontakteve diplomatike që spanjollët dhe shqiptarët mbajtën gjatë shekullit XVI./ata