Ferma “Sotira” në Ersekë është vlerësuar me Çmimin Ndërkombëtar të Agroturizmit 2024 në Kongresin Ndërkombëtar të Agroturizmit, që po mbahet këto ditë në Bolzano të Italisë.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.
Duke e cilësuar një lajm të bukur për agroturizmin shqiptar, Kumbaro tha se “është një vlerësim për një nga fermat pionere të agroturizmit shqiptar, motivim për gjithë sektorin, por edhe duke vendosur Shqipërinë në hartën e agroturizmit botëror”.
Ferma “Sotira” i ofron turistëve mikpritjen e përsosur në oazin e tyre, që nga akomodimi, ushqimi me produkte të zonës, hipizmi, kampingu, e deri tek “athiterapia” një metodë inovative e oksigjenimit të mushkërive, që funksionon përmes koshereve të bletëve.
Nëpërmjet programit mbështetës të zhvillimit rural synohet evidentimi i produkteve lokale tradicionale të çdo zone, drejt një ekonomie lokale të konsoliduar./ata