Kërkesa e bizneseve për të pasur mundësi të punësojnë të huaj në kushtet e krizës së shkaktuar nga emigrimi i lartë duket se ka bërë që autoritetet të reflektojnë për koordinim më të mirë instiotucional me efekt përshpejtimin e procesit.

 

Një udhëzim i përbashkët i ministrit të Brendshëm dhe asaj të Ekonomisë dhe Financave tregon hapat që do të hidhen në këtë proces dhe miratimin e një leje unike.

 

Kështu kërkesa për pajisje me leje unike ose për ripërtëritjen e saj, bëhet përmes sistemit elektronik të sigurt online, drejtuar drejtorisë së kufirit dhe migracionit në rajonin ku kryhet aktiviteti.

 

Udhëzimi në pikën tret ë tij thekson se për kategoritë e të huajve, punëmarrës, punonjës stinorë, të transferuar brenda ndërmarrjes, punonjës me kualifikim të lartë, vullnetarë, sportistë dhe shërbime kontraktuale, kërkesa shqyrtohet fillimisht nga autoriteti përgjegjës rajonal/vendor i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), që mbulon territorin ku i huaji kryen aktivitetin, sipas këtyre kategorive: a) të huaj që kërkojnë miratimin për plotësimin e kushtit të dhënë në shkronjën “ç”, të pikës 7, të nenit 74, të ligjit 79/2021, “Për të huajt”, shpallje të vendit të lirë të punës: i. punëmarrës; ii. punëtor stinor; ë huajt që nuk kërkojnë shpallje të vendit të lirë të punës: i. të transferuar brenda ndërmarrjes; ii. me kualifikim të lartë; iii. sportistë; iv. shërbime kontraktuese; v. vullnetarë.

 

Udhëzimi përcakton një afat brenda të cilit duhet të jetë kthyer përgjigje për aprovim apo refuzim ndaj aplikimeve të paraqitura në sistem.

 

“Autoriteti përgjegjës rajonal/vendor i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, shprehet në sistemin elektronik online, me aprovim apo refuzim të kërkesës për miratim punësimi, brenda 2 javëve (10 ditë pune) nga marrja e kërkesës dhe kur janë plotësuar të gjitha kriteret e tjera ligjore ose nga momenti i plotësimit të tyre” thuhet në pikën 5.

 

“Autoriteti përgjegjës rajonal/vendor i AKPA-së, miraton kërkesën për punësim nëse janë plotësuar kriteret e pikës 7, të nenit 74, të ligjit “Për të huajt”, kriteret dhe dokumentacionin sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 858, datë 29.12.2021, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe duke u bazuar në dokumentacionin e siguruar nëpërmjet konsultimit me sisteme të tjera informatike” thuhet në udhëzim.

 

I njëjti saktëson se për ripërtëritjen e lejes respektohet e njëjta procedurë si aplikimi apo punësimi për herë të parë me përjashtim të kushtit të shpalljes së vendit të lirë të punës.

 

Ndërkohë në rast se miratimi për punësimin e një të huaji revokohet, autoriteti përgjegjës rajonal/ vendor i AKPA-së, shprehet në sistemin elektronik online për revokimin e miratimit për punësim. Autoriteti përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin dhe autoriteti përgjegjës rajonal/vendor i AKPA-së, shkëmbejnë informacione në sistem për rastet kur ka ndryshim të kushteve të punësimit apo kur Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive refuzon të japë miratimin për punësimin e një të huaji.

 

Sipas udhëzimit autoritetet shtetërore përgjegjëse që mbulojnë çështjet e kufirit dhe migracionit, autoritetet shtetërore përgjegjëse që mbulojnë çështjet e punësimit të të huajve, apo dhe autoritetet që mbulojnë çështjet e sigurisë kombëtare, rendit kushtetues dhe rendit publik, shkëmbejnë informacion për rastet e refuzimit dhe anulimit të lejes unike.

 

Shqipëria tashmë ka disa praktika të punësimit të të huajve në sektorë të ndryshëm si fasoneria apo turizmi me shtetas nga Bangladeshi, Filipinet për shkak të mungesës së krahut të punës vendas por këto të fundit nuk po rezultojnë shumë të suksesshme.

 

Jo në pak raste punonjësit e huaj janë larguar duke përdorur Shqipërinë si trampolinë për të emigruar në Europë ndërkohë që ka pikëpyetje mbi produktivitetin e punonjësve të huaj dhe kostot e tyre në raport me punonjësit shqiptarë. Duke parë tendencën e emigrimit që u bë masiv pas pandemisë qeveria nisi një sërë rregullimesh të kuadrit ligjor që synonin lehtësimin e procedurave për lejet e punësimit për të huajt.//Monitor