Kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi me nënsekretaren e Departamentit të Shtetit amerikan për Çështje dhe Diplomaci Publike, Elizabeth Allen, ka shprehur shqetësimin e tij mbi kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.
Ai ka thënë se autori dhe lideri i grupit të terroristëve dhe paramilitarëve që ekzekutuan sulmin në Banjskë, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
Në takim u diskutua edhe për raportet Kosovë-Serbi dhe procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Për këtë çështje, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë e të pakushtëzuar të marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj.
Sa i përket rrugëtimit të Kosovës në integrimet evropiane, kryeministri Kurti shprehu keqardhjen e tij që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk pati gatishmëri ta përfshijë Kosovën në agjendën e votimit të 17 majit, duke marrë parasysh se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit.
Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti e njohu nënsekretaren Allen me zhvillimet në vend, progresin në sundimin e ligjit, politikat sociale që mbështesin gratë dhe fëmijët, reformën në arsim me qëllim ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, dhe politikat dhe investimet në energji.
Për këtë të fundit, ai falënderoi nënsekretaren Allen për mbështetjen e USAID në përgatitjen dhe përmbylljen e suksesshme të ankandit të parë të energjisë solare dhe programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), i cili hyri në fuqi në fund të muajit të kaluar.
Kurti tha se SHBA janë aleati dhe partneri historik i Kosovës dhe pret fuqizimin e raporteve reciproke në të ardhmen, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe tregtisë.
Ndryshe, sot gjatë ditës, Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan një marrëveshje të mirëkuptimit kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja. /KosovaPress/