Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Diplomaci dhe Çështje Publike, Liz Allen e ka konsideruar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si hap thelbësor në jetësimin e synimeve euro-atlantike të Kosovës.
Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimit të zhvilluar të dielën me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Konfirmoj se ne mbështesim trajektoren e Kosovës drejt institucioneve euro-atlantike, përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe e di se kjo është me rëndësi për ju. Diskutuam për hapin thelbësor në rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës, Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka thënë Allen.
Bërja e hapave drejt Asociacionit ka qenë kusht për Kosovën edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës – organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut – më herët gjatë javës.
Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjatë muajit maj do të dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, një propozim për formim të Asociacionit, mirëpo zyrtarë të lartë të Perëndimit kanë thënë se diçka e tillë është e pamjaftueshme për të plotësuar kushtin.
Pas takimit, Osmani dhe Allen kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vizita e zyrtares Allen simbolizon partneritetin e palëkundur mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, si dhe dëshmon përkushtimin e ndërsjellë për bashkëpunim, me qëllim të luftimit të sfidave të përbashkëta.
“Në dritë të zhvillimeve dhe dinamikave globale, padyshim se sfidat shtohen. Mirëpo, bashkëpunimi ynë është materializuar në mënyra të jashtëzakonshme”, ka thënë presidentja, duke përmendur një mori marrëveshjesh të nënshkruara me agjenci amerikane që veprojnë në Kosovë.
Osmani ka thënë se marrëveshja e sapo nënshkruar do të ndihmojë në bashkim të forcave kundër manipulimit të informacionit, duke vlerësuar që fushatat dezinformuese paraqesin kërcënim të madh për stabilitetin e Kosovës dhe gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përmendur edhe rrezikun nga sulmet kibernetike.
“Fatkeqësisht as Kosova nuk është kursyer nga këto sulme, të cilat sa vijnë e intensifikohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon, nëpërmjet satelitit të saj Serbisë. Kjo, jo vetëm që është shqetësuese, por paraqet kërcënim aktiv për destabilizim të rajonit tonë”.
Allen ka zhvilluar një vizitë edhe në Serbi më 15 maj.
Atje është takuar me presidentin e shtetit, Aleksandar Vuçiç, me të cilën, mes tjerash, ka biseduar për rëndësinë e përparimit në dialogun me Kosovën.
Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.
Bashkimi Evropian ka përsëritur disa herë se zgjidhja e të gjitha problemeve mes dy vendeve, është faktor tejet i rëndësishëm për rrugën e tyre evropiane./REL/