Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se “Kosova nuk e ka dialogun me Serbinë dhe këtë e kam thënë publikisht. Këtë ua kam thënë edhe udhëheqësve të Kosovës. Kosova dialogun e ka me BE-në”.
Gjatë një interviste për Nacionale i pyetur lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe dialogun me Serbinë, Rama është shprehur se “Kosova nuk ka objektiv të integrohet në Serbi, ka objektiv të anëtarësohet në BE dhe NATO. Atëherë çfarë duhet të bëjë Kosova? Kosova duhet të bëjë të pjesën e vet nga A-ja te ZH-ja, pa pyetur fare dhe pa pritur fare që të bëjë Serbia pjesën tjetër. Shumë e thjeshtë. Duke bërë këtë lloj të ndryshëm negocimi, Kosova faktikisht e ka lidhur fatin e vet me Serbinë”.
“Autoritetet e Kosovës janë autoritete për të bërë atë që shohin të arsyeshme. Nuk më takon mua të bëj komentatorin apo analistin e gjërave që ndodhin në Kosovë. Por unë di një gjë edhe me koston që ushtria digjitale e e Kosovës më sulmon vazhdimisht si tradhtar dhe nuk më intereson se po të ishin të gjithë tradhtar si puna ime, sot Kosova do të ishte në Këshillin e Evropës. Por gjëja që unë besoj shumë është, është se strategjinë e negociatave me Serbinë do ta kisha zgjedhur ndryshe. Kosova nuk e ka me Serbinë dialogun dhe këtë e kam thënë publikisht, këtë ua kam thënë edhe udhëheqësve tuaj. Kosova dialogun e ka me BE-në. Kosova nuk ka objektiv të integrohet në Serbi, ka objektiv të anëtarësohet në BE, në NATO dhe të bëhet anëtar i barabartë i familjes demokratike të Perëndimit duke pas parasysh që Lindja është Rusia dhe nuk është Polonia”, ka theksuar Rama.
Kryeministri nënvizoi se “Kosova duhet të bëj pjesën e vet nga A deri në Zh, pa pyet fare, pa prit fare që Serbia të bëjë pjeësën tjetër. Ajo që i kërkohet Kosovës është në të mirë të Kosovës”.
Sipas tij, “Kosova luftën e ka fituar. Kosova ka luftë tjetër tani. E ka luftën për të konfirmuar subjektivitetin e vet ndërkombëtar”.
“Dhe, atëherë dihet kush janë detyrimet e palëve. Serbia ka të vetat, Kosova të vetat. Unë nëse do të kisha përcaktuar strategjinë dhe taktikën e këtyre negociatave do të kisha përmbushur gjithë pjesën që më takon, do kisha lënë në dorë SHBA dhe BE dhe do thosha ne e bëmë tonën. Shkoni tani merruni me ata tjerët atje dhe mos kërkoni nga ne më gjë dhe tani na hapni dyert që mund të na hapni”, është shprehur Rama gjatë intervistës.
Kryeministri Rama shtoi se “duke e bërë këtë lloj të ndryshëm negocimi Kosova e ka lidhur fatin e vetë me Serbinë, kjo mund të jetë produktive nga pikëpamja elektorale, por nga pikëpamja e formësimit të subjektivitetit ndërkombëtar, nuk është produktive”./ata