Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësorë Naureda Llagami tha sot se strategjia e re e hartuar nga KLGJ për uljen e dosjeve të prapambetura në gjykata 2024-2027 kërkon angazhimin e të gjithëve.

Gjatë fjalës së saj, në tryezën e mbajtur sot në Tiranës nga KLGJ për prezantimin e kësaj strategjie të re, Llagami tha se kjo strategji i jep qytetarit atë që i është premtuar përmes reformës në drejtësi, akses dhe efikasitet në sistemin e drejtësisë.

Sipas Llagamit, kjo strategji është konsultuar me partnerët ndërkombëtarë dhe është bazuar në praktika të njohura të vendeve të Këshillit të Evropës.

“KLGJ vjen sot me një produkt i cili përmes objektivave afatshkurtër dhe afatgjatë synon adresimin e çështjeve të prapambetura në gjykatat tona. Përballjen për herë të parë në mënyrë strategjike dhe multidimensionale e tërësore të një problematike që nuk pret vetëm një gjykatë, por thelbin e të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Backlogun nuk është thjesht problemi i KLGJ-së, është një problem kombëtar, i aksesit në drejtësi që kërkon një strategji gjithëpërfshirëse. Kërkon një besëlidhje kombëtare, ashtu si ditën kur u miratua Reforma në Drejtësi. I bëjmë thirrje për bashkëpunim çdo gjyqtari, por edhe të gjithë pushteteve, qeverisë dhe kuvendit për t’i dhënë sistemit atë që i premtuam popullit për Reformën në Drejtësi, jo vetëm pavarësinë, por edhe mbështetjen buxhetore”, tha Llagami.

“Strategjia e paraqitur për mbështetje dhe që synon uljen e stokut nëpër gjykata, nuk është vetëm produkt i KLGJ, por është hartuar e konsultuar me KiE, delegacioni europian, kryetarë gjykatash, ekspertë vendas e të huaj. Jemi të vetëdijshëm që backlogun sot është pengesë reale që qytetarët të marrin drejtësi brenda afateve të arsyeshme dhe siç ju e dini, është një nga rekomandimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Lidhet me respektin e të drejtave të njeriut dhe me besimin që jo vetëm tek drejtësia, por edhe te shteti i së drejtës”, tha Llagami.

Kryetarja e KLGJ-së e cilësoi backlogun, një problem kronik të vendit tonë. Ajo tha se është koha për veprim.

“Masat lidhen me mbajtjen e funksionit bazë në planin afatshkurtër dhe ndihmojnë në standardet evropiane dhe nevojat e shoqërisë. Strategji që të jetë e suksesshme kërkon bashkërendim me të gjithë aktorët, me Ministrinë e Drejtësinë ashtu dhe me Kuvendin. Në këtë frymë bashkëpunimi, debati konstruktiv, së shpejti do të kemi rezultatet konkrete. Le të jemi bashkë edhe njëherë për hir të qytetarit sot”, u shpreh Llagami.

Llagami duke shpjeguar strategjinë e re, tha se puna lidhet me mbajtjen e funksionit bazë të sistemit në planin afatshkurtër.

“Ashtu sikundër ndihmon në sigurimin e efikasitetit dhe standardeve evropiane të SEPEZH-it, dhe nevojave të qeverisë dhe qytetarëve, duke nisur nga çështjet e teknologjisë, ambientet, fuqizimin e personelit ndihmës. Propozimi për ndryshimet ligjore për çështjet procedurale, dhe deri tek filtrimi i çështjeve, apo i trajtimit të ankimeve dhe rekurseve të përsëritura, që ngarkojnë sistemin nuk janë të reja si fenomene, por janë mjete të testuara sot në vendet KiE, ashtu dhe nga vetë GJENDJ, që sot përdor sisteme të filtrimit të çështjeve ku ka një praktikë gjyqësore të konsoliduar ndaj këtyre dhe që kërkojnë shqyrtim gjyqësor të thelluar”, tha Llagami.

“Kjo e fundit kërkon mendësi të re që duhet punuar fort. Një strategji të jetë e suksesshme kërkon bashkërendim me të gjithë aktorët, me Ministrinë e Drejtësisë dhe Kuvendin, ashtu siç u bëmë bashkë gjatë hartimit të reformës në drejtësi dhe procesit të ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë. Së shpejti do kemi rezultate konkrete”, tha Llagami./ata