-Institucioni i Avokatit të Popullit u ka dërguar një rekomandim të gjitha bashkive në 12 qarqet e vendit, për marrjen e masave, për krijimin e kushteve të përshtatshme në qendrat e votimit, me qëllim garantimin e ushtrimit lirisht të së drejtës së tyre kushtetuese të votës, për personat me aftësi të kufizuar në zgjedhjet vendore 2023.

 

“Institucioni i Avokatit të Popullit, në ushtrim të mandatit kushtetues për parandalimin e shkeljes, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, ka si një nga prioritetet e aktivitetit të tij, mbrojtjen dhe respektimin e së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Duke qenë se e drejta e votës së lirë, të fshehtë dhe të barabartë është një nga të drejtat themelore dhe të patjetërsueshme të njeriut, institucioni i Avokatit të Popullit në vijimësi ka vënë theksin te ushtrimi efektiv i kësaj të drejte nga të tëra grupet shoqërore në vend e në këtë kuadër vëmendje të shtuar merr krijimi i kushteve të përshtatshme për të ushtruar këtë të drejtë për personat me aftësi të kufizuara, me akses të garantuar në qendrat e votimit”, njofton Avokati i Popullit.

 

“Është domosdoshmëri që në çdo qendër votimi duhet të ketë një standard minimal kushtesh që lehtëson aksesin gjatë gjithë procesit të votimit për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuar, të cilat lidhen me sigurimin dhe vënien në funksionim të logjistikës së nevojshme si dhe të përcaktimit të vendndodhjes së qendrave të votimit.”, rekomandon Avokati i Popullit.

 

“Nga monitorimi i kryer për zgjedhjet e përgjithshme 2021 këto parashikime nuk janë zbatuar në një numër jo të vogël qendrash. Në përgjithësi qendrat e votimit të vendosura në katet e para të godinave kishin aksesueshmëri për personat Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, pasi kishin rampë në hyrje të godinave.

 

Megjithatë, vëren rekomandimi, në rastet kur qendrat e votimit ishin parashikuar të vendoseshin në ambiente në katin e dytë të godinave përkatëse, u konstatua se për aksesueshmërinë e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, nuk ishin parashikuar masa specifike. Shiritat e verdhë, për aksesueshmërinë e personave që nuk shikojnë, mungonin totalisht në të gjitha qendrat e votimit të inspektuara”, thekson Avokati i Popullit.

 

Avokati i Popullit vë theksin se, mungesa e lehtësive të përshtatshme për votimin e personave me aftësi të kufizuara në qendrat e votimit, mund të konsiderohet edhe si një kufizim, apo pengesë, ndaj të drejtës së tyre, të votës. Kjo mungesë nuk mund të ketë justifikim. Avokati i Popullit do të monitorojë përgjatë gjithë periudhës zgjedhore garantimin e kësaj të drejte dhe do të paraqesë një raport për disa bashki.