Policia Rrugore e Tiranës vijojnë kontrollet e shtuara në të gjitha akset rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore si dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, në kryeqytet.

 

Si rezultat i kontrolleve, Policia Rrugore njoftoi se gjatë kësaj jave janë arrestuar 19 shtetas dhe proceduar për drejtim automjeti, në gjendje të dehur ose pa lejedrejtimi.

 

“107 lejedrejtimi janë pezulluar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor. Janë ndëshkuar me masë administrative 626 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjeteve. 304 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosdhënie përparësie këmbësorëve, në vija të bardha. 422 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit. Janë vendosur 333 masa administrative, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, nga drejtuesit e motomjeteve. Gjithashtu, janë vendosur 28 masa administrative për mosrespektimin e tabelës “Stop””, njoftoi Policia Rrugore.