Rreth 32 200 euro të padeklaruara janë sekuestruar në pikat kufitare të Morinës dhe në Portin e Durrësit. Policia bën me dije se janë proceduar penalisht dy persona që tentuan t’i futnin këto para në vendin tonë.
Sipas informacioneve, në PKK Morinë, si rezultat i kontrollit në vijën e dytë, oficerët e policisë i gjetën shtetasit J. R. 58 vjeç, banues në Luksemburg, 20 000 euro të fshehura në automjetin që drejtonte. Ndaj tij nisi procedimi në gjendje të lirë, ndërsa shuma prej 20 000 eurosh u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Ndërsa, në PKK Port Durrës, shërbimet e Policisë gjetën në automjetin e K. B., 35 vjeç, banues në Tiranë, 12 205 euro të padeklaruara. Ndaj 35-vjeçarit nisi procedimi në gjendje të lirë, ndërsa shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive pranë gjykatave të rretheve gjyqësore Kukës dhe Durrës, për veprime të mëtejshme.