Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, i tha këshilltarit të sigurisë kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan, se Izraeli planifikon të zgjerojë ofensivën e tij tokësore në Rafah në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

"Zgjerimi i operacionit atje është një komponent i përpjekjeve të Izraelit për të çmontuar Hamasin dhe për të rikthyer pengjet", tha Gallant gjatë një takimi me Sullivan në Tel Aviv, siç citohet nga gazeta "The Times of Israel".

Gallant i prezantoi këshilltarit amerikan "informacionet e fundit për evakuimin e civilëve nga zona e qytetit Rafah dhe ofrimin e ndihmës humanitare".

Ushtria izraelite nisi një ofensivë tokësore më 6 maj në Rafah, ku janë strehuar 1,5 milion palestinezë të zhvendosur. Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinez (UNRWA) vlerëson se më shumë se 800 mijë njerëz janë larguar nga qyteti që nga fillimi i sulmit izraelit.

"Sa herë që familjet zhvendosen, jeta e tyre është në rrezik serioz. Njerëzit janë të detyruar të lënë gjithçka pas duke kërkuar siguri. Por nuk ka asnjë zonë të sigurt", tha UNRWA.

Sullivan u takua edhe me kreun e opozitës izraelite Yair Lapid, i cili ka bërë thirrje për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

"I thashë atij (Sullivanit) se nuk duhet të heqim dorë nga përpjekjet për të kthyer pengjet. Kjo është detyra më e rëndësishme dhe më urgjente", tha Lapid në X.

Opozita akuzon Netanyahun për dështimin e arritjes së objektivave të shpallura të luftës së Gazës, veçanërisht eliminimin e Hamasit dhe kthimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi.

Sullivan mbërriti në Izrael të dielën pas Arabisë Saudite dhe u takua me zyrtarë të lartë, përfshirë Netanyahun, për të diskutuar luftën në Gaza, veçanërisht qytetin Rafah, dhe rritjen e fluksit të ndihmës humanitare në Gaza, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë.

Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm. Mbi 35.400 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 79.500 të tjerë janë plagosur që nga tetori i vitit të kaluar pas një sulmi nga Hamasi.

Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për "gjenocid" në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi, si dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa