Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam njoftoi se ka vrarë shumë ushtarë izraelitë dhe ka shkatërruar automjete të ushtrisë izraelite në përleshjet në Rripin e Gazës.

Në deklaratën me shkrim në llogarinë Telegram të Brigadave Kassam thuhet se sulmet e përbashkëta ndaj ushtrisë izraelite në kampin e refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës janë kryer me krahun ushtarak të Xhihadit Islamik, Brigadat Al-Quds.

Në deklaratë theksohet se "luftëtarët palestinezë të rezistencës u përleshën me ushtarët izraelitë të vendosur prapa Xhamisë së 'Shehid Imad Akl' në kampin Jabalia dhe pati të vrarë dhe të plagosur në mesin e ushtarëve izraelitë".

Mësohet se në përleshjet në rrugën "El-Albani" janë vrarë ushtarë izraelitë ndërsa në rrugën "El-Ajarime" është shkatërruar një tank i tipit "Merkava" i ushtrisë izraelite.

Brigadat Kassam publikuan imazhe që tregojnë se dy tanke që i përkisnin ushtrisë izraelite ishin shënjestruar në lindje të kampit Jabalia dhe njësitë e ushtrisë izraelite në veri të kampit u shënjestruan me raketa "Yasin-105".

Raportohet se një ushtar izraelit është shënjestruar me një sulm snajper në korridorin Netzarim në jug të lagjes Tel el-Heva në qytetin e Gazës dhe janë kryer sulme me raketa në qytetin Sderot në jug të Izraelit.

Në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës janë kryer sulme me mortaja kundër ushtarëve izraelitë në pikën kufitare Rafah. Gjithashtu janë shënjestruar ushtarët dhe automjetet izraelite që i përkisnin ushtrisë izraelite në lindje të Rafahut.

Në deklaratën e saj më 6 maj, ushtria izraelite kërkoi evakuimin e disa lagjeve në lindje të Rafahut, ku u strehuan palestinezët e zhvendosur me forcë ndërsa mëngjesin e 7 majit filloi sulm tokësor në rajonin Rafah të Gazës dhe njoftoi se kishte pushtuar pikën kufitare me Egjiptin në anën e Gazës./aa