Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi sot një takim në ambientet e Klinikës Stomatologjike Universitare në Tiranë, me mjekë dhe profesorë stomatologë, ku u njoh me instalimin e një teknologjie të avancuar digjitale që përmirëson shërbimet dentare falas për kategoritë në nevojë.

“Në Klinikën Stomatologjike Universitare, kemi mundësuar instalimin e një teknologjie të avancuar digjitale, Skaner 3D extraoral, motora kirurgjikal dhe unit piezokirurgjie duke përmirësuar shërbimet dentare falas për kategoritë në nevojë, fëmijë të komunitetit rom, të institucioneve të përkujdesit social, të moshuarit si dhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike”, tha Koçiu.

Ministrja vuri në dukje se, Klinika Stomatologjike Universitare, funksionon në bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Mjekësisë Dentare për kryerjen e procedurave të praktikave klinike me pacientët për studentët e FMD.

Kjo klinikë ofron shërbime: të Filtrit; Ortodoncisë; Ortopedisë; Kirurgji Maksilofaciale; Terapi.

Koçiu u shpreh besimplotë që kjo klinikë tashmë nën lidershipin e ri do të vijojë të çojë në një tjetër nivel impaktin e të gjitha investimeve që janë ndërmarrë.

“Qëllimi ynë primar është shërbimi ndaj qytetarëve dhe rritja e cilësisë së shërbimit, e cila është e mundur vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, ngritjes së kapaciteteve dhe formimit të brezave të rinj”, u shpreh Koçiu./ata