Në vazhdim të ciklit “Mirënjohje dhe nderim për artistët e kinematografisë shqiptare”, është zhvilluar një mbrëmje në teatrin “Petro Marko”, dedikuar kineastit Piro Milkani.

Me kontributin e Sinan Idrizit dhe me mbështetjen e Bashkisë së Vlorës dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, shfaqja e radhës së këtij cikli iu dedikua mjeshtrit të regjisë e skenarit, Piro Milkanit.

AQSHF bën me dije se në mbrëmje ka qenë i pranishëm regjisori Milkani dhe aktorë të mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar: Timo Flloko, Rajmonda Bulku, Ndriçim Xhepa dhe Kristaq Skrami. I ftuar ishte edhe aktori i njohur Nik Xhelilaj i cili është një talent i zbuluar nga Piro Milkani dhe ka bashkëpunuar ngushtë me të.

Aktiviteti shfaqi një ndërthurje të sekuencave të filmave më të njohur të Milkanit dhe interpretimeve skenike të aktorëve, nën regjinë e Kristaq Skramit dhe ekzekutimin e kolonave muzikore të filmave nga orkestra e drejtuar nga dirigjenti Oleg Arapi.

Më herët, cikli “Mirënjohje dhe nderim për artistët e kinematografisë shqiptare”, ka organizuar evente dedikuar kineastëve Dhimitër Anagnosti, Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro./ata