Autorja fituese e logos kombëtare të 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Erjona Karkini, tha se “në logon që përmban Monumentin “Nënë Shqipëri” u mundova të përcjell lirinë që fal figura e saj me elementë si veshja që valëvitet, që në këtë rast mban në dorë flamurin shqiptar, ndryshe nga skulptura ku ajo ka gjethe dafine dhe një yll”.

Në videon e publikuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, 26-vjeçarja Karkini, ish-studente e Arkitekturës e njëkohësisht bashkëthemeluese e një startup-i në fushën e dizajnit dhe marketingut, shpjegon se “ideja për logon erdhi natyrshëm duke qenë se ky vit shënon edhe 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë. Simboli i këtij eventi është monumenti “Nënë Shqipëri” realizuar nga skulptorët e njohur Kristaq Rama, Muntaz Dhrami dhe Shaban Hadëri”.

“Flamuri merr prezencë skenike kur valëvitet nga era dhe prej këtij imazhi erdhi edhe ideja e shiritit që formon 80-ën e viteve që gëzojmë ne si të çliruar, ndjesia që të jep pavarësia”, tha Karkini.

Karkini u shpreh se “është inkurajuese për mua që krijimi dhe ideja do të jetë në këtë përfshirje kaq masive si dokumente shtetërore, brendime dhe aktivitete”.

Logoja Kombëtare e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë u përzgjodh fillimisht nga një komisioni i posaçëm i ngritur pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ku mes shumë propozimeve të dorëzuara nga të rinj të interesuar për të kaluar më pas në fazën përzgjedhëse dhe dakordësisë në Komisionin Shtetëror të drejtuar nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Logoja Kombëtare e 80-Vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë që mban autorësinë e Ejona Karkinit do të jetë simbolikë përfaqësuese dhe do të shoqërojë evenimentet zyrtare dhe shkresat protokollare të Institucioneve Qendrore Shtetërore, si pjesë identifikuese e festimeve dhe si imazh gjatë zhvillimit të aktiviteteve në 2024, shpallur si viti mbarëkombëtar i 80-Vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë me vendim të Këshillit të Ministrave më 17 janar 2024.

Logoja Kombëtare 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë përmban elementët patriotikë kombëtarë dhe u vlerësua nga komisionet respektive si përfaqësimi më dinjitoz i imazhit të vitit Mbarëkombëtar i 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

Të rinj, artistë dhe krijues në fushën e arteve pamore, iu përgjigjën ftesës së Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të dhënë kontributin e tyre artistik në konkursin e organizuar me këtë rast, ku konkurruan denjësisht 64 projekte që plotësonin të gjitha kriteret si punime origjinale, të papublikuara më parë, individuale dhe punë të realizuara në grup./ata