Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot krijimin e nënkomisionit për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Nga radhët e Partisë Socialiste, anëtarë do të jenë Klotilda Bushka, Damian Gjiknuri dhe Klevis Xhoxhi. Ndërsa nga radhët e opozitës anëtarë do të jenë Gazment Bardhi dhe Dhurata Çupi.
Krijimi i këtij nën/komisioni u kundërshtua nga deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i cili në nisje të mbledhjes së sotme të Komisionit të Ligjeve, teksa po diskutohej krijimi i nënkomisionit për vakancat e KLP-së dhe KLGJ-së akuzoi mazhorancën se po tenton që të emërojë në drejtësi njerëzit e saj me qëllim për të kapur SPAK.
“Janë skualifikuar 6 kandidatë. Në pamje të parë ka një gjë ose Avokati i Popullit ka dështuar për të vlerësuar kriteret, kushtet dokumentacionin, ose Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, një vartës i mazhorancës në një kohë shumë të shkurtër ka vepruar politikisht. Nga analiza sesi parlamenti i është qasur sistemit gjyqësor, kjo është një lëvizje politikisht e orientuar”, tha Alibeaj.
Kjo, u shpreh ai, “tregon se cila është qasja juaj me sistemin e pavarur. Vazhdon e njëjta histori për të kapur organet e drejtësisë. Nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm spastrohen ato që nuk janë në oborrin e mazhorancës dhe lihen ata që janë në oborrin e mazhorancës. Janë shkualifikuar 4 nga kandidatët që Avokati i Popullit i ka renditur me pikë më lart. Doni të emëroni njerëzit tuaj për të kapur kreun e SPAK”, tha Alibeaj.
Kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka tha se, nën/komisioni ka 3 përfaqësues nga mazhoranca dhe 3 nga opozita dhe kualifikimet apo s’kualifikimet kërkojnë shumicë të cilësuar, pra as mazhoranca as opozita nuk mund të vendosin të vetme, por duhet një vendim i përbashkët./ata