Qendra për Hapje dhe Dialog dhe Instituti Italian i Kulturës çelën ekspozitën “Artivizimi për një transformim social të përgjegjshëm”, të mjeshtrit të mirënjohur ndërkombëtar Michelangelo Pistoletto. Ekspozita është kuruar nga “Fondacioni Pistoletto Cittadellarte”. E shpërndarë në të gjithë hapësirat e saj, ekspozita rrëfen artin si shprehje e mendimit, që artisti merr përsipër përgjegjësinë për të vënë çdo aktivitet njerëzor në komunikim, nga ekonomia në politikë, nga shkenca te feja, nga edukimi tek sjellja.
E ndarë në katër ambiente dhe tetë ndalesa, kjo ekspozitë do të ndalet tek: “Të duash të ndryshmen”, “Veprat pasqyrë”, “Kozmologji”, “Ekologji”, “Mitologji”, “Ushqyerja”, “Shkrimi” dhe “Metaverse”.
Përzgjedhja e veprave të ekspozuara në COD, vë theksin tek roli i mjeshtrit dhe tek artivizimi, një koncept i krijuar nga Fondacioni “Pistoletto” Cittadellarte, i cili bashkon dy fjalë: “art” dhe “aktivizim”. Si përfaqësim i idesë së përdorimit të artit si një mjet aktiv për të stimuluar, angazhuar dhe aktivizuar ndryshimet shoqërore. Është një qasje që shkon përtej shprehjes artistike, duke inkurajuar artistët dhe njerëzit që punojnë me artin të bëhen agjentë aktivë të transformimit përmes veprave të tyre dhe ndërveprimeve të tyre me shoqërinë.
Në ceremoninë që i parapriu hapjes për publikun ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, personalitete të artit, kulturës e krerë të komuniteteve fetare.
Ekspozita do të qendrojë e hapur për publikun në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD), nga data 22 maj deri më 2 korrik dhe hyrja do të jetë e lirë./ata