as përfundimit të provimit të detyruar të matematikës, maturantët përmes emocionesh u shprehën optimistë për rezultatin. Sipas tyre, testi ishte i nivelit mesatar dhe ushtrimet ishin brenda kurrikulës me të cilën kanë punuar këto tre vite.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau sot një video, ku maturantët shprehin opinionet e tyre rreth këtij provimi.

“Kjo ditë ishte e mbushur me emocione, kishim ankth deri sa nisi provimi. Por çdo ushtrim ishte brenda kurrikulës me të cilën kemi punuar”, shprehet një nga maturantet e gjimnazit “Petro Nini”, në Tiranë.

Një tjetër maturant thotë se testi ishte mesatar, teksa uroi të gjithë bashkëmoshatarët.

“Provimi ishte një përzierje e mirë e gjeometrisë, algjebrës dhe trigonometrisë”, shprehet një tjetër maturant.

“Mendoj se kam dalë mirë, pasi kur hapa tezën pashë se ishte çdo ushtrim që kam punuar edhe më parë”, thotë një tjetër maturante.

Provimit të matematikës iu nënshtruan sot rreth 28 mijë maturantë. Provimi i gjuhës së huaj u zhvillua më 3 qershor, më 10 qershor ai i gjuhës shqipe dhe letërsisë. Ndërsa më 24 qershor është provimi i fundit, ai i lëndës me zgjedhje./ata