Në Teheran u fal namazi i xhenazes së presidentit iranian, Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Husein Amir Abdullahiyan dhe zyrtarëve të tjerë që humbën jetën në rrëzimin e helikopterit.

Udhëheqësi iranian, Ayatollah Ali Khamenei e udhëhoqi namazin e xhenazes në kampusin e Universitetit të Teheranit. Mijëra njerëz prisnin te portat e universitetit për të hyrë në zonën e lutjes, ku lejohej një numër i kufizuar njerëzish.

Qindra mijëra njerëz që donin të merrnin pjesë në ceremoninë mortore që do të mbahej në sheshin Azadi pas faljes së namazit, u mblodhën në Sheshin e Revolucionit pranë universitetit dhe në rrugët që çojnë në atë zonë.

Për shkak të rritjes së turmës dhe vështirësisë në ecje, zyrtarët i drejtuan njerëzit nga rruga Azadi në sheshin Azadi, ku do të mbahej ceremonia. Njerëzit marshuan drejt sheshit.

Pas ceremonisë që do të mbahet më vonë, trupi i presidentit do të dërgohet në qytetin e Mashhadit ndërsa trupi i ministrit të Punëve të Jashtme, Abdullahiyan do të varroset në Teheran.

Varrimi do të bëhet nesër pas ceremonisë./aa