Kina filloi herët të enjten stërvitjet ushtarake rreth Tajvanit që do të zgjasin deri të premten, vetëm disa ditë pasi presidenti i ri i Tajvanit Lai Ching-te mori detyrën dhe i bëri thirrje Pekinit që të ndalojë kërcënimet. Komanda e Ushtrisë Popullore Çlirimtare të Kinës njoftoi se kishte filluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake me përfshirjen e ushtrisë, marinës, forcave ajrore dhe raketore, në zonat përreth Tajvanit.
Stërvitjet po zhvillohen në ngushticën e Tajvanit, në veri, jug dhe në lindje të Tajvanit, si dhe në zonat përreth ishujve Kinmen, Matsu, Wuqiu dhe Dongyin të kontrolluara nga Tajvani, tha komanda në një deklaratë. Deri në publikimin e lajmit nuk ka patur komente nga qeveria tajvaneze. Stërvitjet do të përqendrohen tek patrullimet e përbashkëta të gatishmërisë luftarake detare dhe ajrore, sulmet precize mbi objektivat kyç dhe operacione të integruara brenda dhe jashtë zinxhirit të ishullit për të testuar “aftësitë e përbashkëta reale luftarake” të forcave, tha ushtria kineze.
“Ky është gjithashtu një ndëshkim i fortë për aktet separatiste të forcave që kërkojnë pavarësinë e Tajvanit dhe një paralajmërim i ashpër kundër ndërhyrjes dhe provokimit nga forcat e huaja”, shtoi komanda kineze. Kina e urren Presidentin Lai, duke thënë se ai është “separatist” dhe e ka denoncuar fjalimin e tij të inaugurimit. Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi e quajti zotin Lai “të turpshëm”./BalkanWeb