Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, vizitoi spitalin e përgjithshëm universitar “Gregorio Marani” të Madridit, ku bashkë me stafin mjekësor diskutuan për ngritjen dhe thellimin e urave të bashkëpunimit me spitalet në vendin tonë.
Koçiu gjatë vizitës në këtë spital, u njoh nga afër me disa nga projektet më të rëndësishme, ndër të cilat: rikonstruksioni në 3D i organeve dhe sistemit muskulo-skeletal, i cili ndihmon në planifikimin e kirurgjive dhe rekonstruksionit të shtyllës kurrizore, ekstremidadeve dhe kokës; Projekti i transformimit digjital dhe kontrolli digjital i aktivitetit spitalor dhe Projekti i transplantit të organeve.
Ministrja Koçiu theksoi angazhimin për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në trajtimin e pacientëve dhe në menaxhimin e spitalit, veçanërisht duke u fokusuar në autonominë spitalore, me qëllim modernizimin dhe përmirësimin më tej të sistemit tonë shëndetësor, për rritjen e shërbimeve ndaj qytetarëve./ata