Tregtia e jashtme duket se kanë shënuar një kthesë në drejtim të eksporteve, tregojnë të dhënat zyrtare nga “Instituti i Statistikave”. Përgjatë prillit të këtij viti eksportet e mallrave u rritën me 1.8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 3.9%, në krahasim me një muaj më parë. Kjo rritje ka ardhur pas shumë muajve me rënie, ndikuar edhe nga luhatja e monedhës europiane në tregun valutor.

Por si paraqitet marrëdhënia me partnerët kryesorë tregtarë?

Mes partnerëve tanë më të mëdhenj, duket se rënia më e madhe regjistrohet me Italinë, me 18.3%. Më pas ndjek Mali i Zi me 10.1%, Gjermania me 8.1%, Greqia me 2.2% dhe Serbia me 1.4%. Ndërkohë, rritjen më të madhe të eksporteve me 155% patëm më Kinën. Vlera e eksporteve me këtë shtet përgjatë muajit prill të këtij viti u regjistrua në 1.52 miliardë lekë, nga 597 milionë që ishte një vit më parë. Pas Kinës, me rritje paraqiten eksportet me Maqedoninë e Veriut me 91.4%, me Spanjën në 84% dhe me Holandën në 796%.

Por, duke qenë se ka rritjen më të madhe, cilat janë produktet kryesore “Made in Albania” që Shqipëria ka dëguar në Kinë? Sipas INSTAT-it, Kina merr veçanërisht nga Shqipëria xeherorët, koncentrate të kromit dhe bakrit, me një vlerë totale në Prill të këtij vitit prej 1.51 miliardë lekë dhe më një rritje vjetore deri në 161%. Me rritje paraqiten edhe produkte si mjetet e transporti apo farat vajore dhe kripërat e sulfuret./Tema

 

Nëse shohim të dhënat historike të eksporteve shqiptare drejt Kinës, shifrat tregojnë se viti 2023 shënoi rekordin e dytë më të lartë që nga viti 2005. Në vitin 2023, eksportet me Kinën arritën në 10 miliardë, ndërkohë që regjitroheshin në 11.4 miliardë në vitin 2013, që ishte rekordi i mëparshëm. Krahasuar me vitin 2022, eksportet me Kinën u rritën me 2.7%.

 

Në vitin 2023, Kina ishte partneri i dytë tregtar i Shqipërisë, me një vlerë totale të shkëmbimeve prej 103 miliardë lekë, ose rreth 1 miliardë euro.