Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë.
Komandanti i KFOR-it prezantoi vlerësimet e situatës së sigurisë në vend nga ana e misionit që ai drejton dhe njoftoi presidenten Osmani për veprimet që po ndërmerren.
Osmani falënderoi gjeneralmajor Ulutash për angazhimin e tij personal, si dhe pjesëtarëve të KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.
Po sot, presidentja Vjosa Osmani priti në takim edhe ambasadorin e Italisë në Prishtinë, Antonello De Riu me të cilin ka biseduar mbi zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë në zhvillimet e sigurisë, duke pasur parasysh kërcënimet e vazhdueshme dhe tendencat e Serbisë për destabilizim të rajonit.
Në takim u diskutua edhe mbi kontributin e trupave italiane në kuadër të KFOR-it për mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në vend, me ç’rast presidentja Osmani vlerësoi lart angazhimin e tyre dhe mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në këtë drejtim.
Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin për bashkëpunimin të ngushtë me Italinë dhe ka ritheksuar gatishmërinë për intensifikim të raporteve dypalëshe./ata