Kjo është fundjava e fundit për një pjesë të mirë të kuqezinjve, të cilët janë në pritje të një telefonate nga Silvinjo për t’u nisur menjëherë drejt Tiranës.
Edhe pse në kryeqytet prej disa ditësh ndodhet Jasir Asani, Frederik Veseli, Odise Roshi dhe ndonjë tjetër. Të hënën trajneri Silvinjo do të publikojë listën me lojtarët që do të grumbullojë dhe me shumë mundësi do të jenë 26 emra ata që braziliani do të preferojë për të marrë me vete në fazën përgatitore, që do të zhvillohet në Austri. Ekipi pritet të niset më 29 maj drejt Grazit dhe në program janë dy miqësore, më 3 qershor dhe 7 qershor, ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit. Për t’u rikthyer te lista, le të rendisim disa nga dilemat e Silvinjos, edhe pse mund të pritet ndonjë surprizë e vogël në listë.
PORTA Në portë nuk ka shumë histori, me Thomas Strakoshën dhe Elhan Kastratin që janë të gatshëm, ndërsa për t’u vlerësuar mbetet gjendja e Etrit Berishës, i dëmtuar që para dy muajsh dhe vijon ende të mos jetë as në stol me Empolin. Megjithatë, në çdo rast, Alen Sherri është në dispozicion për një zëvendësim nëse do të jetë nevoja.
MBROJTJA Duke qënë se Silvinjo aplikon një skemë me 4 mbrojtës, praktikisht duhet të thirren 8 emra nga ky repart në listë, ku përfshihen katër lojtarë stoli sipas pozicionit. Hysaj-Balliu është i mbyllur si “muhabet” në krahun e djathtë. Në qendër dyshja Gjimshiti- Ismajli janë më në formë dhe shihen edhe si titullarë për në Europian, ndërkohë Kumbulla, Ajeti dhe Mihaj do të luajnë për dy vende. Në krahun e majtë mbetet Mario Mitaj, por herë pas here Silvinjo ka preferuar si zëvendësues të 20-vjeçarit, Naser Alijin, i cili do të garojë me Frederik Veselin, që nuk e ka problem të mbulojë edhe këtë krah, pasi po e bën në Turqi. Megjithatë, në javët e fundit ka pësuar një dëmtim dhe s’dihet nëse është rikuperuar plotësisht.
MESFUSHA DHE SULMI Jemi mësuar tashmë që në mesfushë të shohim dyshen Ramadani-Asllani, e krijuar nga Silvinjo në këto kualifikuese. Në stol si alternativë janë Qazim Laçi dhe Keidi Bare, ndërkohë në këtë pozicion është edhe Klaus Gjasula që mund të përfshihet si një emër shtesë në mesfushë. Përpara tyre vendoset si fantasist Nedim Bajrami, ndërsa edhe për Ernest Muçin është një rol që e adhuron. Për të kaluar nga krahët, Jasir Asani dhe Arbnor Muja janë favoritë në krahun e djathtë të sulmit. Këtu mos harrojmë Muçollin, edhe pse është në luftë me kohën për t’u rikthyer nga dëmtimi, ndërsa krahu tjetër mbulohet me Uzunin dhe Seferin, por megjithatë një alternativë tjetër është edhe Arbër Hoxha. Sipas një llogaritjeje, që gjithmonë mbetet në kuadrin e hamendësimit, deri këtu janë 22 lojtarë. Lista lejon edhe katër të tjerë që mund të jenë sulmuesit, me emra si: Cikalleshi, Broja, Manaj dhe Daku. Megjithatë, nuk përjashtohet edhe ndonjë surprizë nga Silvinjo me ndonjë afrim të ri të bujshëm, por edhe ndonjë rikthim me peshë./GazetaShqiptare