Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se qeveria do të subvencionojë rritjen e kostos shtesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore për çdo punonjës me pagë minimale në sektorët e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit dhe industrisë përpunuese.

 

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj tha se ky vendim vjen në mbështetje të bizneseve me një numër të lartë të punësuarish dhe në kuadër të paketave sociale që qeveria shqiptare ka ndërmarrë gjatë vitit të kaluar dhe do të vijojë të ndërmarrë.

 

“Vendimi do të shkojë në mbështetje të sektorëve të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit dhe industrisë përpunuese, ku ne do të subvencionojmë elementin e rritjes së kostos shtesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore për çdo punonjës me pagë minimale që janë në listëpagesën e muajit dhjetor 2022”, tha ajo.

 

Ibrahimaj theksoi se ndihma vjen në suport të këtyre bizneseve që kanë një numër të lartë të punësuarish dhe numri i përfituesve shkon në rreth 30 mijë persona.

 

“Kjo gjithashtu është një mbështetje që do t’i jepet të gjithë subjekteve për të mbështetur koston shtesë gjatë gjithë vitit 2023 dhe është një politikë që do të ndiqet në vijimësi nga qeveria shqiptare edhe për vitet në vijim për të gjitha rritjet e pagës minimale që do të jenë më të larta se sa rritjet normale që kanë qenë vitet e kaluara”, tha Ibrahimaj.

 

Ajo theksoi se qeveria synon që në vitet e ardhshme paga mesatare në vend të arrijë nivelin e vendeve të rajonit dhe të bëhet konkurruese, pasi ndikon në mirëqenien e familjeve shqiptare.

 

Po ashtu, Ibrahimaj informoi se po hartohet një politikë e përgjithshme e rritjes së pagave, pasi paga është forma kryesore e të ardhurave të disponueshme të familjeve shqiptare dhe është e rëndësishme që ajo të vijë në rritje në raport me ritmin e zhvillimit ekonomik, por edhe në ritmin e rritjes së çmimeve të përgjithshme që kanë ndikuar ekonominë shqiptare dhe atë të vendeve të rajonit./ATSH