Duke qenë se së fundmi “Instituti i Statistikave” ka bërë publike shifrat e arsimit sa i përket regjistrimeve dhe diplomimeve, “Scan Intel” i ka analizuar më tej këto shifra duke parë raportin e të regjistruarve me atë të të diplomuarve sipas programeve të arsimit të lartë.

Shifrat tregojnë se numri i të diplomuarve është ndjeshëm më i ulët se numri i të regjistruarve. Kështu, në nivelin tre vjeçar, bachelor, janë regjistruar gjatë vitit akademik 2020-21 rreth 43 mijë femra dhe janë diplomuar në vitin 2022-23 vetëm 8,731 prej tyre. E njëjta tendencë vihet re edhe në numrin e meshkujve të diplomuar në raport me ata të regjistruar.

Po për të njëjtin program studimi janë regjistruar 30.5 mijë meshkuj dhe janë diplomuar vetëm 5,077 prej tyre. Nëse analizojmë në total numrin e rregjistrimeve në programin bachelor, shohim se pas tre vitesh janë diplomuar vetëm 13,808 prej tyre, nga rreth 74 mijë që ishte numri i registrimeve në vitin 2020-21.

E njëjta tendencë vihet re edhe nëse analizojmë programet dy vjeçare. Në vitin akademik 2021-22, në këto programe u regjistruan rreth 6,784 studentë, ndërkohë, pas dy vitesh u diplomuan vetëm 1,584 prej tyre, sipas të dhënave të numrit të diplomimeve në vitin 2022-23.

Nëse do të flisnim për doktorantët e diplomuar përgjatë vitit akademik 2022-23 shohim të njëjtin trend. Duke marrë parasysh që doktoratura zgjat deri në tre vite në Shqipëri, në analizë janë marrë regjistrimet për vitin 2020-21. Pra, nga 2,017 studentë të regjistruar në këtë program, në vitin që lamë pas u diplomuan 116-të prej tyre.

Po të njëjtin ndryshim vërejmë edhe në programet master, por duke qenë se në publikimin e INSTAT ky program nuk është i ndarë në atë profesional dhe shkencor nuk mund të bejmë një analizë të saktë pasi ndryshon kohëzgjatja për secilin rast.

Fakti që numri i studentëve të diplomuar është më i ulët se numri i atyre që janë regjistruar mund të shpjegohet nga disa skenare. Përshembull, këto studentë mund të kenë zgjedhur të ndërpresin studimet, apo të mos kenë arritur të mbyllin me sukses programin dhe mund të jenë mbartës të cilët automatikisht i shtohen vitit pasardhës. Por, nuk përjashtojmë edhe efektet e emigracionit./Tema