Duhanpirja në Shqipëri vijon të mbetet në nivele të larta ku pothuajse gjysma e meshkujve konsumojnë duhan. Niveli i konsumit tejkalon ndjeshëm  vendet e OECD-së si edhe nivelin mesatar globale.

Por sa kushton duhanpirja për qytetarët shqiptarë? Sipas një studimi të fundit të bërë nga DSA, konsumi i duhanit përbën një barrë të konsiderueshme ekonomike për shoqërinë, duke ndikuar si duhanpirësit ashtu edhe individë joduhanpirës të ekspozuar ndaj tymit/konsumit të duhanit.

Në Shqipëri, llogaritet se vetëm shpenzimet vjetore të kujdesit shëndetësor të shkaktuara nga konsumi i duhanit dhe që mbulohen nga familjet arrijnë në rreth 223 milionë lekë, me pjesën më të madhe të alokuar për shpenzimet e lidhura me ilaçet. Gjithashtu, kostot e përgjithshme vjetore që i atribuohen duhanpirjes në kuadrin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) vlerësohen të jenë 11.2 miliardë lekë.

Sipas studimit, një nga shkaqet kryesore të niveleve të larta të konsumit të duhanit në Shqipëri janë çmimet relativisht të ulëta të cigareve,  pjesërisht për shkak të akcizës së ulët për produktet e duhanit. Nivelet e akcizës së duhanit konsiderohen ndër më të ulëtat në rajon dhe ndjeshëm më e ulët në krahasim me kërkesat minimale të BE-së. Studimet e mëparshme në Shqipëri tregojnë se çmimi ka një ndikim të madh në gjasat për të filluar duhanin si dhe në vendimin për të lënë duhanin. Një rritje prej 10 për qind e çmimit ul mundësinë e fillimit të pirjes së duhanit në Shqipëri me më shumë se pesë për qind.

Por edhe pse duket sikur çmimet e cigareve janë rritur, në raport me inflacionin shifrat tregojnë të kundërtën.

Referuar studimit, nga dhjetori 2020 deri në nëntor 2023, çmimet e cigareve dhe duhanit u rritën me afro 12 për qind. Gjatë së njëjtës periudhë, niveli i përgjithshëm i çmimeve/inflacionit ishte 15 për qind dhe kostot e ushqimit u rritën me 28 për qind. Rrjedhimisht, niveli i rritjes së çmimeve të ushqimeve ka qenë më shumë se dyfishi në krahasim me cigaret, duke i bërë cigaret shumë më “të lira”. Nëse llogaritet raporti i indeksit të çmimeve të ushqimeve me indeksit e çmimeve të duhanit dhe cigareve, rezulton që duhani dhe cigaret janë bërë 13–17 për qind më të lira krahasuar me ushqimet që nga dhjetori 2020.

Gjetjet e studimit tregojnë urgjencën e zbatimit të politikave që synojnë reduktimin e konsumit të duhanit duke e bërë duhanin më pak të përballueshëm. Për këtë rekomandohet të merren masa urgjente për të kompensuar tendencën e fundit të uljes së çmimeve relative të duhanit, që vjen nga fakti se akciza nuk reflekton tendencat e inflacionit, e cila bëhet më e dukshme në kohë inflacioni të lartë./Tema